Trepça do të përballet të hënën në Samakov me kampionët e Holandës, Den Bosch, në kualifikimet e Basketball Champions League.
Trajneri i “xehetarëve”, Adis Beçiragiq, ka folur për sfidën që i pret dhe përgatitjet që ka bërë skuadra.
“Së pari dua t’i përshëndes të gjithë ata që e duan këtë klub, që na përkrahin. Mendoj se jemi gati, por e dimë se po luajmë kundër një ekipi shumë të mirë. Ata i fituan të gjitha ndeshjet përgatitore me 30-40 pikë diferencë, është tjetër nivel. Por ne shkojmë atje për të tentuar të bëjmë disa momente historike për basketbollin e Kosovës. Do të bëjmë gjithçka për të fituar ndeshjen e parë, të dytë dhe të tretën. Duhet t’i fitojmë të tri për të shkruar histori për ne”, tha Beçiragiq për AsistiOnline.com.
Ai foli edhe për integrimin e lojtarëve të rinj në skuadër, si Mustafa Amzil, Chad Brown, Pane dhe Russell, që iu bashkuan vendësve në këtë fazë: “Sigurisht, na duhet edhe më shumë kohë. Për të kapur maksimumin tonë do të na duhen rreth 30 ditë, por unë e shoh që kemi një energji të madhe. Nëse e tregojmë atë energji në fushë, edhe me disa probleme teknike që mund të kemi, unë besoj që do të mjaftojë për të na bërë të luajmë mirë.”
Sa i përket kundërshtarit, Bećiragić ka vlerësuar se Den Bosch është një skuadër e fortë dhe e disiplinuar, por ka edhe dobësitë e saj:
“Ata kanë një lojtar shumë me përvojë, ndërsa të tjerët janë kryesisht të rinj. Mund të vrapojnë, të luajnë mbrojtje të fortë, por ndoshta nuk kanë aq shumë përvojë në kupat ndërkombëtare. Kështu që do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë.”
Në fund, trajneri i Trepçës nuk fshehu pritshmëritë e tij: “Pritja ime çdo herë është të fitoj çdo ndeshje.” /AsistiOnline.com/




