Heroes Den Bosch është një prej klubeve më të suksesshme në basketbollin holandez.
Në Samokov (Bullgari), skuadra mitrovicase do ta ketë përballë 18 herë kampionin e Holandës, që gjithashtu është mbajtës i 9 kupave shtetërore dhe 4 Superkupave.
Këtë sezon, Heroes Den Bosch do të luajë për herë të parë në Champions League, ndërsa ka marrë pjesë për tre sezone radhazi në FIBA Europe Cup (2018-2021), duke arritur të kalojë fazën e grupeve një herë, në vitin 2020. Disa mund ta kujtojnë këtë klub edhe si ish-ekipin e Edon Maxhunit, i cili kishte luajtur për “heronjtë” gjatë sezonit 2021-2022.
Forma
Së fundi, Heroes Den Bosch ka arritur të fitojë Superkupën e Holandës duke mposhtur Donar Groningen me 31 pikë dallim, 108-77.
Megjithatë, në ndeshjen e fundit të zhvilluar mbrëmë ndaj Oostende në kuadër të Superkupës së Ligës së përbashkët me Belgjikën, Den Bosch u mposht nga klubi belg me rezultat 102-81.
Gjithsesi, “heronjtë” duken në formë të mirë pasi kanë fituar të tria ndeshjet e tyre përgatitore gjatë verës..
Skuadra
Skuadra e Den Bosch ka bërë mjaft ndryshime në 12-shen që fitoi titullin sezonin e kaluar. Këtë vit, rosteri është ndërtuar nga drejtori teknik i emëruar së fundi, ish-basketbollisti i mirënjohur turk Sinan Güler, dhe trajneri me shumë eksperiencë, Erik Braal.
Reprezentuesit holandezë Luuk van Bree dhe Charlon Kloof janë dy basketbollistët vendorë që mbajtën barrën kryesore gjatë sezonit të kaluar dhe pritet të jenë sërish forca shtytëse e ekipit, së bashku me qendrën amerikane Xavier Cork, i cili është i huaji i vetëm që ka vazhduar edhe për një vit. Den Bosch është përforcuar gjithashtu me lituanezin Arūnas Mikalauskas, amerikanët Kerwin Walton dhe Jae’Lyn Withers, si dhe kanadezin Keevan Veinot.
Ylli i ekipit
Është e vështirë të thuhet se kush do të jetë ylli i skuadrës këtë sezon. Charlon Kloof, 35-vjeçari që shumicën e karrierës e ka zhvilluar jashtë Holandës, është njëherësh lojtari më me përvojë i “heronjve”. Ai ishte vendimtar në sukseset e skuadrës sezonin e kaluar dhe pritet të vazhdojë të jetë shumë i rëndësishëm edhe këtë edicion.
Një tjetër basketbollist që mund të konsiderohet si pretendent për epitetin “ylli i skuadrës” është 27-vjeçari lituanez Mikalauskas. Ai njihet si lojtar ekipor, shumë inteligjent dhe energjik. Mikalauskas është kthyer në Holandë pas tre sezoneve dhe shihet si përforcim i rëndësishëm.
Trajneri
Erik Braal hyn në sezonin e tij të pestë radhazi si trajner i Den Bosch. Braal është trajner jashtëzakonisht i suksesshëm, pasi ka fituar plot 13 trofe dhe është shpallur katër herë “Trajneri i Vitit” në Holandë. Në vitin 2018 ai fitoi edhe çmimin “Trajneri i Vitit” në FIBA Europe Cup, pasi udhëhoqi Donar Groningen drejt gjysmëfinales së tyre historike në këtë garë.

Për Braal kjo nuk do të jetë përballja e parë me një skuadër nga Kosova. Në vitin 2018, si trajner i Donar Groningenit, ai u përball dy herë me Sigal Prishtinën në kualifikimet për Champions League. Në Holandë, Groningeni fitoi 80-55, ndërsa në Prishtinë triumfoi Sigal Prishtina me shifrat 84-64. /AsistiOnline.com/



