Under Header

spot_img

Anwili – Një rival me histori evropiane

spot_img
spot_img

Anwil Włocławek është një nga klubet më të suksesshme në basketbollin polak. E themeluar vetëm 35 vite më parë (1990), skuadra nga qyteti i vogël Włocławek ka arritur të bëhet një emër i madh në basketbollin evropian. Anwil është shpallur tre herë kampion i Polonisë (2003, 2018, 2019), ka fituar katër herë Kupën e Polonisë dhe tri herë Superkupën. Momenti më i madh në historinë e tyre erdhi në vitin 2023, kur Anwil u bë klubi i parë polak që fitoi një garë evropiane – FIBA Europe Cup. Për skuadrën që mban nofkën “The Rottweilers” për dy sezone (2010-2012) është aktivizuar edhe Dardan Berisha, i cili kishte luajtur me mjaft sukses.

Forma

Në edicionin e kaluar të ligës polake Anwil-i e mbylli kampionatin në mesin e katër skuadrave më të forta dhe u tregua konsistent gjatë gjithë sezonit. Ata gjithashtu vazhdojnë të mbajnë reputacionin si një skuadër shumë e rrezikshme në garat evropiane, sidomos falë përvojës së tyre ndërkombëtare. Në prag të këtij sezoni, Anwil ka zhvilluar disa ndeshje përgatitore të suksesshme dhe duket se po hyn i motivuar në këtë edicion të Europe Cup, me synimin që të përsërisë sukseset e viteve të fundit.

Skuadra

Anwil Włocławek është i njohur për kombinimin e lojtarëve vendas cilësorë me përforcime të huaja që sjellin përvojë dhe energji të re. Ne fillim të kësaj vere nga skuadra u largua kapiteni i tyre legjendar dhe reprezentuesi polak Kamil Laczynski. Por aty mbetet Michał Michalak që tani  është lider i padiskutueshëm i skuadrës, një lojtar me shumë eksperiencë i cili mbart peshën kryesore të ekipit. Përveç tij, polaku Szymon Wojcik dhe islandezi Elvar Fridriksson janë emra që japin stabilitet në rotacionin bazë.

Ekipi është perforcuar për këtë sezon me amerikanin e njohur A.J. Slaughter që si i natyralizuar ka luajtur edhe për Poloninë më herët. Nga ana tjetër, amerikanët Eric Lockett dhe Isaiah Mucius janë poashtu përforcime të rëndësishme që i japin skuadrës dimension shtesë në sulm dhe mbrojtje. Së fundi Anwil ka sjellur edhe qendrën kroate Mate Vucić nga Legia Warsaw, fundorin tjetër amerikan Nijal Pearson që në sezonin e kaluar është aktivizuar ne Bundesligën Gjermane te Rostock Seawolves si dhe lituanezin Justas Furmanavičius.

Ylli i ekipit

Figura kryesore e skuadrës mbetet Michał Michalak, 31-vjeçari që ka përvojë të gjatë në ligën polake dhe që është shndërruar në pikë referimi për Anwilin luajti edhe në EuroBasket 2025 për Poloninë. Me aftësinë për të shënuar në momente vendimtare dhe për të udhëhequr skuadrën në fushë, Michalak shihet si lojtari që do të bëjë diferencën në ndeshjet kyçe. Atij së fundi edhe ju dorezua shiriti i kapitenit, per tu bërë edhe zyrtarisht lideri i skuadrës.

Trajneri

Skuadra e Anwil Włocławek drejtohet nga Grzegorz Kożan, i lindur më 26 mars 1985 në Włocławek dhe pjesë e klubit që nga viti 2013. Ai ka kaluar një rrugë të gjatë brenda organizatës, duke nisur si pjesë e stafit teknik dhe duke shërbyer si ndihmës-trajner i tre emrave të njohur – Milija Bogicevic, Igor Milicic dhe Przemysław Frasunkiewicz. Gjatë kësaj kohe, Kożan ishte pjesë e sukseseve më të mëdha të Anwil-it në dekadën e fundit: dy tituj kampion të Polonisë, një Kupë të Polonisë, dy Superkupa, si dhe triumfet në ENBL dhe në FIBA Europe Cup.

Përveç punës në klub, Kożan ka pasur edhe përvojë në arenën ndërkombëtare si ndihmës-trajner i Kombëtares së Polonisë, përfshirë edhe EuroBasket-in e fundit, ku polakët arritën suksesin historik duke përfunduar në vendin e katërt. Tani, megjithatë, fokusin e tij të plotë e ka tek menaxhimi i Anwil-it, me synimin për ta çuar klubin drejt një tjetër periudhe suksesi dhe për të ndërtuar vazhdimësi në garat evropiane. /AsistiOnline.com/

 

 

 

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme