Basketbollisti amerikan, Lamb Autrey, ka dhënë një prononcim për AsistiOnline.com, duke folur për muajin e parë të qëndrimit në Kosovë dhe përgatitjet para sezonit.
“Po, zotëri. Legjendar. Ai është legjendë,” tha Autrey, duke u shprehur i impresionuar me trajnerin me të cilin po punon. Ai theksoi se është i kënaqur me punën e bërë deri më tani: “Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në parasezon. Kemi një trajner që ka luajtur në EuroLeague dhe është kampion, kështu që nuk mund të kërkojmë më shumë. Lojtarët janë fantastikë, qyteti i mirë, njerëzit të ngrohtë. Deri tani jam shumë i emocionuar për sezonin.”
Në lidhje me ndeshjen e parë që skuadra e tij do të zhvillojë ndaj Gimle në kuadër të ENBL, Autrey u shpreh: “Nuk kemi hyrë ende shumë në detaje për ta. Trajneri beson më shumë të fokusohemi tek ajo që bëjmë ne. Nëse ne bëjmë gjërat si duhet, gjithçka tjetër do të rrjedhë natyrshëm. Për ne është thelbësore mbrojtja, komunikimi dhe të jemi agresivë në sulm. Me tifozët që do të jenë këtu, mezi e presim. Kemi punuar shumë, tani është koha ta tregojmë në parket.”
Autrey ka ardhur si një nga përforcimet kryesore për këtë edicion dhe shpreson që bashkë me ekipin e tij të shënojnë suksese në arenën ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/




