Rahoveci 029 e ka nisur me fitore rrugëtimin e tij në Superligën e Kosovës në basketboll, duke shënuar debutim të suksesshëm në elitën e këtij sporti.
Ekipi rahovecas, që këtë sezon kthehet mes më të mirëve, tregoi karakter dhe përkushtim në parket, duke e nisur në mënyrën më të mirë aventurën e re.
Një nga emrat që mori vëmendjen ishte kapiteni Bardh Rexha, i cili u rikthye fuqishëm në elitë pas shumë përpjekjeve dhe sakrificash për klubin dhe qytetin e tij. Rexha, që prej vitesh ka qenë simbol i përkushtimit për Rahovecin, e dëshmoi se e ka merituar gjithmonë vendin në Superligë.
Në debutimin e skuadrës, kapiteni u paraqit me një performancë të shkëlqyer – 12 pikë, 8 kërcime dhe 2 asiste, duke udhëhequr me shembull në fushë dhe me shpirtin e tij garues.
Kthimi i Bardh Rexhës dhe fitorja e Rahovecit 029 janë një sinjal i qartë se skuadra synon të jetë e denjë për Superligën dhe të përfaqësojë me dinjitet qytetin e vreshtave në arenën vendore. /AsistiOnline.com/


