Rrezon Elezaj, basketbollisti i ri me prejardhje nga Peja dhe i lindur në Kosovë, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij sportive në Shtetet e Bashkuara, duke u bashkuar me një nga kolegjet më të njohura dhe të fuqishme në basketbollin amerikan.
Para se të vinte në SHBA, Elezaj fillimisht ka luajtur te Beshiktashi në Turqi. Në moshën 15-vjeçare u largua nga Kosova për të ndjekur rrugën e tij sportive jashtë vendit.
Kur mbushi 17 vjeç, ai debutoi me ekipin kombëtar U-17 të Turqisë në Kampionatin Botëror, duke treguar talentin dhe potencialin e tij.
”Përshëndetje, unë jam Rrezon Elezaj. Jam nga Kosova dhe tani jam student i vitit të parë këtu. Para se të vija këtu, luaja te Beshiktash. Kur mbusha 15 vjeç, shkova në Turqi. Por kur mbusha 17 vjeç, bëra ndeshjen time të parë me ekipin kombëtar. Po luaja me ekipin U-17 në Kampionatin Botëror”, tha fillimisht Elezaj.
Rrezoni tregon për përvojën e tij të parë në SHBA, lojtari nga Peja thekson se stërvitjet janë intensive dhe se konkurenca në ekip është e lartë.
”Këtë vit vendosa që doja të isha këtu në një ekip si UConn. Mendoj se është më mirë këtu. Ishja në ekipin kombëtar dhe u rekrutova. Ishte një gëzim i madh për mua të vij këtu; për të qenë i sinqertë, nuk e prisja diçka të tillë. Së pari folëm me trajnerin Luke, dhe pastaj njoha gjithë ekipin. Kjo është hera ime e parë në SHBA, dhe e dua shumë; është një vend i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë të mirë, dhe unë e dua këtë. Mendoj se kemi një ekip fantastik. Po punojmë shumë fort çdo ditë. Stërvitja është shumë e vështirë, të gjithë janë shumë të fortë. Është e vështirë të luash një kundër një me ta, por mendoj se do të mësohem me këtë. Më pëlqen të gjuaj, për shembull më pëlqen të dribloj dhe gjëra të tilla. Por më pëlqen të luaj edhe me shpinën ndaj shportës dhe gjëra të ngjashme”.
Ai shton se është i emocionuar për t’i parë tifozët dhe për të dhënë maksimumin në secilën ndeshje.
”Jam i emocionuar të shoh të gjithë tifozët dhe se si janë ata. Dhe për të qenë i sinqertë, vetëm dua të fitoj. Mendoj dhe shpresoj që në fund të sezonit të jemi kampionë, kjo është qëllimi ynë”.
Rrezon Elezaj tashmë po përgatitet të sfidojë nivele të reja në basketbollin amerikan dhe të përfaqësojë Kosovën me krenari në një nga skenat më konkurruese të sportit universitare në botë. /AsistiOnline.com/