Under Header

spot_img

Cibona po kalon periudhë më të errët ndoshta në histori, sivjet paksa është këndellur

spot_img
spot_img

Skuadra e Bashkimit nga Prizreni do të shënojë sonte debutimin historik në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, përballë një emri të madh të basketbollit kroat dhe rajonal – KK Cibona Zagreb.

Ndeshja zhvillohet nga ora 18:30 në Zagreb, ndërsa përballja pritet të jetë një sfidë e veçantë për kampionen e Kosovës.

Cibona është një nga klubet më të trofeshme në historinë e basketbollit kroat dhe të Evropës Juglindore, e njohur për faktin se aty u zhvillua legjenda e basketbollit botëror Drazhen Petroviç.

Megjithatë, vitet e fundit kanë qenë të vështira për klubin nga Zagrebi, i cili është përballur me krizë të thellë financiare, duke humbur shkëlqimin e dikurshëm. Titulli i fundit kampion i Cibonës në Kroaci daton katër sezone më parë, ndërsa këtë vit klubi po përpiqet të rikthehet në një nivel më konkurrues.

Këtë sezon, Cibona ka pësuar ndryshime të shumta në përbërje dhe strukturë, ndërsa për herë të parë pas shumë vitesh mungon në ABA Ligë, ku ishte pjesëmarrëse tradicionale. Rënia ndodhi pas humbjes në ndeshjet “play-out” ndaj KK Ilirija nga Sllovenia në fund të sezonit të kaluar.

Ekipi aktual drejtohet nga trajneri kroat Ivan Rudez, një emër me përvojë të gjerë ndërkombëtare që ka drejtuar ekipe në Sllovaki, Slloveni, Austri, Zvicër, Gjermani, Holandë dhe Hungari. 45-vjeçari ka fituar pesë trofe në Zvicër dhe ka qenë selektor i kombëtares së Sllovakisë në vitet 2016–2018.

Ylli kryesor i Cibonës për këtë sezon është Zan Mark Sisko, ish-lojtar i Bayernit të Mynihut në Euroligë për katër edicione (2019–2023). Përveç tij, ekipi kroat mbështetet edhe në tre basketbollistë të huaj: Justin Roberson, Kamaka Hepa dhe Markus Lonçar.

Për Bashkimin, kjo sfidë shënon një faqe të re historike, në një arenë të rëndësishme evropiane, ku do të kërkojë të tregojë vlerat e basketbollit kosovar përballë një kundërshtari me traditë të madhe.

Për shkak të angazhimit të palestrës “Sezai Surroi” për zgjedhjet politike, ndeshja luhet në Zagreb, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet në Prizren, në prani të tifozëve të zjarrtë prizrenas. /AsistiOnline.com

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme