Skuadra kosovare KBF Peja 03 ka pësuar humbjen e parë në fazën e grupeve të EuroCup Women, duke u mposhtur nga ekipi i njohur lituanez Kibirkstis-TOKS me rezultat 85-69 në ndeshjen e zhvilluar në Vilnius.
Edhe pse ndeshja ishte tejet rivalizuese në pjesën më të madhe të saj, lodhja e udhëtimit të gjatë drejt Lituanisë duket se ndikoi tek vashat pejane, të cilat në periodën e fundit nuk arritën të mbajnë ritmin e kundërshtareve.
Më efikaset për Pejën ishin Dazia Lawrence me 14 pikë, Kirsty Brown me 11, ndërsa Eve Wembanyama dhe Adrienne Godbold shtuan nga 10 pikë secila.
Pas dy xhirove të para, Peja 03 vazhdon rrugëtimin në garën evropiane me përvojë të vlefshme ndërkombëtare. Duelin e radhës, skuadra pejane do ta zhvillojë më 23 tetor në Gjermani, ndaj ekipit të fortë Keltern. /AsistiOnline.com/