Under Header

spot_img

Intervista ekskluzive e AsistiOnline.com me presidentin e FIBA Evropës – Jose Garbajosa

spot_img
spot_img

Presidenti i FIBA Evropës, Jose Garbajosa, po qëndron në Kosovë në kuadër të programit FIBA Europe Under 14 – Year Together, si dhe për mbledhjen e Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës, një prej më të rëndësishmëve në strukturën e organizatës.

Në një intervistë ekskluzive për AsistiOnline.com, ai foli për rëndësinë e këtij programi dhe vizionin e zhvillimit të basketbollit në Evropë.

“Është një nder i vërtetë të jem këtu, i pritur nga miq të mirë të Federatës së Basketbollit të Kosovës, nga zoti president Fetahu dhe zonja Dushku,” – u shpreh Garbajosa.
“Si FIBA Europe, përveç EuroBasket-it për meshkuj dhe femra, përqendrojmë shumicën e përpjekjeve tona në zhvillimin e të rinjve, sepse aty qëndron e ardhmja e basketbollit. Mosha 14-vjeçare është momenti ku gjithçka fillon. Nëse e ndërton mirë këtë fazë, e ardhmja do të sjellë rezultate natyrshëm.”

Ai theksoi se programi “Year Together” po zhvillohet çdo vit me synimin për të ndihmuar federatat kombëtare në ngritjen e talenteve të reja, dhe se Kosova ka qenë një mikpritëse shembullore e këtij edicioni.“Këtë mëngjes patëm mundësinë të mbajmë mbledhjen e Komisionit të të Rinjve dhe gjithashtu pata një takim shumë të mirë me Ministrin e Sportit dhe ekipin e tij. Agjenda ka qenë e ngjeshur, por njëkohësisht kënaqësi dhe nder. Ne po ndërtojmë të ardhmen këtu në Kosovë,” – shtoi ai.

Sa i përket vizionit për dhjetë vitet e ardhshme të basketbollit evropian, Garbajosa theksoi se suksesi i vendeve jo tradicionale si Finlanda, Suedia, Gjeorgjia apo Ukraina tregon qartë se investimi në të rinjtë jep rezultate të qëndrueshme.

“Sot nuk flasim më vetëm për Spanjën, Francën apo Serbinë. Shohim vende që disa vite më parë nuk ishin në hartën e sukseseve, por që tani janë konkurruese. Kjo vjen nga puna dhe përkushtimi në kategoritë e reja. Rreth 75% e buxhetit tonë e investojmë direkt për zhvillimin e të rinjve, sepse besojmë se aty qëndron forca e Evropës,” – u shpreh ai.

I pyetur për paraqitjen e Spanjës në EuroBasket, Garbajosa tha se humbjet e ekipeve të mëdha nuk janë dështim, por dëshmi e rritjes së nivelit të përgjithshëm të kontinentit.

“Nuk është që Spanja po performon keq, por që vendet e tjera e kanë ngritur nivelin në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo e bën EuroBasket-in më interesant dhe më të fortë se kurrë,” – përfundoi presidenti i FIBA Evropës. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme