Gravelines-Dunkerque ka arritur më në fund fitoren e parë në këtë edicion të Superligës Franceze, duke triumfuar bindshëm ndaj Nancy me rezultat 107-79.
Pas një fillimi të vështirë në kampionat, skuadra franceze tregoi një paraqitje mbresëlënëse në të dyja anët e fushës.
Një nga më meritorët për këtë sukses ishte lojtari me prejardhje shqiptare, Edon Maxhuni, i cili realizoi një performancë të shkëlqyer në vetëm 18 minuta lojë, duke regjistruar 18 pikë, 2 kërcime dhe 1 asistim.
Me ritëm të lartë dhe efikasitet të jashtëzakonshëm në sulm, Maxhuni dha sinjale të qarta se po hyn në formë të plotë.
Kjo fitore vjen në momentin e duhur për Gravelines-Dunkerque, që synon të dalë nga fundi i tabelës dhe të rikthejë stabilitetin pas disa humbjeve radhazi në start të sezonit.
Skuadra do të kërkojë të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në xhiron e ardhshme, ndërsa për Maxhunin ky ishte një tjetër dëshmi e rëndësisë së tij në kampionatin francez. /AsistiOnline.com/




