Pas fillimit perfekt në Ligën ENBL, ku ka regjistruar dy fitore në dy ndeshje, KB Prishtina udhëton në Bratisllavë për t’u përballur me skuadrën vendase Slovan Bratislava, në një duel që starton nga ora 19:00.
Për bardhekaltërit, kjo përballje përfaqëson një test të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar, duke qenë se ekipi i trajnerit Kakiouzis po kërkon të konsolidojë formën pas ndeshjeve të para premtuese.
Slovan Bratislava, me bilanc prej 1 fitore dhe 2 humbjeve, do të kërkojë të shfrytëzojë fushën e vet për ta ndalur Prishtinën, ndërsa skuadra kosovare synon të vazhdojë me ritmin konkurrues që e ka treguar në këtë edicion.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në kryeqytetin sllovak, por Prishtina ka treguar se di të menaxhojë ndeshjet jashtë shtëpisë, falë përvojës së lojtarëve dhe karakterit të skuadrës.
Sonte, synimi është i qartë: të ruhet ecuria pozitive dhe të rikthehet në Kosovë me një tjetër rezultat të mirë nga skena ndërkombëtare. /AsistiOnline.com




