Skuadra e Bashkimit ka shënuar një fitore të madhe në kuadër të fazës grupore të FIBA Europe Cup, duke mposhtur në “Sezai Surroi” gjigantin kroat Cibona Zagreb me rezultat bindës 89-69.
Kjo ishte humbja e parë e Cibonës në këtë fazë të garës, ndërsa për Bashkimin fitorja e parë pas tri ndeshjeve të para të humbura.
Basketbollistët e ekipit prizrenas zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, me intensitet dhe përkushtim gjatë gjithë takimit. Jeremiah Bailey u dallua me 16 pikë, ndërsa Isaiah Cousins dhe Kyan Anderson kontribuan me nga 14 pikë secili. Në anën tjetër, për Cibonën më efikasi ishte Matej Rudan me 18 pikë.
Pas katër xhirove, Bashkimi tani ka bilanc prej 1 fitoreje dhe 3 humbjesh, ndërsa në xhiron e fundit të fazës së grupeve do të përballet me Reggiana-n e Italisë, më 12 nëntor, në “Sezai Surroi” duke filluar nga ora 19:00.
Atmosfera në Prizren ishte e zjarrtë, ndërsa tifozët portokalli e shtynë skuadrën drejt një triumfi që do të mbahet mend gjatë në historinë e klubit. /AsistiOnline.com/




