Dy herë kampioni i Kosovës Golden Eagle Ylli, duket se është afër kompletimit të njërit prej transfereve më të bujshme të viteve të fundit në vendin tonë.
Burime të AsistiOnline.com në qytetin e Therandës, kanë kuptuar se reprezentuesi i Kosovës Scott Bamforth është shumë pranë transferimit te Golden Eagle Ylli, dy herë kampion i Kosovës.
Sipas të njëjtave burime, marrëveshja është pothuajse punë e kryer dhe pritet të zyrtarizohet së shpejti. Lojtari ka pasaportën e Kosovës, pasi ka luajtur me Përfaqësuesen tonë në disa ture ndërkombëtare dhe ishte natyralizuar në kohën e selektorit Brad Greenberg, i cili njihet për punën e mirë që kishte bërë sa ishte pjesë e Kosovës.
Bamforth, i lindur në SHBA dhe me përvojë të gjatë ndërkombëtare, ka ndërtuar një karrierë të pasur në disa prej kampionateve më të forta evropiane.
Ai ka luajtur për skuadrat e njohura spanjolle: Sevilla, Murcia, Breogan, Granada dhe Bilbao, pastaj në Itali me Dinamo Sassarin e Pesaron, në Mal të zi me Buduçnostin, në Francë me Le Mansin etj.
Një nga kulmet e karrierës së lojtarit, mbetet periudha me Dinamo Sassarin në Itali, me të cilën u shpall kampion i FIBA Europe Cup, duke qenë njëri nga liderët e ekipit me mesatare prej 16.2 pikësh për ndeshje në vitin 2019.
Me këtë transferim, Ylli do të përfitonte një lojtar me përvojë të jashtëzakonshme, i cili sigurisht se do të ishte ndër figurat kryesore të Superligës së Kosovës këtë sezon, falë eksperiencës së tij në nivelet më të larta të basketbollit evropian. /AsistiOnline.com/




