Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do ta nisë fazën e parë të parakualifikimeve për EuroBasket 2029 me 30 nëntor ndaj Shqipërisë, dhe lajmi kryesor para kësaj ndeshjeje është rikthimi i Divine Myles në fanellën “Dardanëve”.
Basketbollisti amerikan i natyralizuar kosovar vjen nga Franca, ku këtë sezon është pjesë e ekipit Gries Souffel në Ligën e Parë franceze. Myles po zhvillon një edicion pozitiv personal me statistika prej 14.5 pikësh, 6.9 asistimesh, 3.4 kërcimesh, 1.2 topash të vjedhur dhe 2.5 topash të humbur në 10 ndeshje të luajtura deri tani.
Megjithatë, skuadra e tij nuk po kalon formë të mirë, duke u renditur në vendin e 16-të me bilanc prej 4 fitoreve dhe 7 humbjesh, nën drejtimin e trajnerit serb Nebojsha Bogavac.
Përkrah statistikave të mira në Francë, Myles mbetet një emër i njohur për basketbollin kosovar. Ai më parë ka luajtur në Superligën e Kosovës për Prishtinën dhe Proton Cable Prizrenin, duke lënë gjurmë me paraqitjet e tij. Karriera e tij ndërkombëtare përfshin edhe aventura në Rusi me Nizhny Novgorod, në Gjermani me Braunschweig, në Poloni me Torun, si dhe në Meksikë me Dorados, ndër të tjera.
Federata e Basketbollit të Kosovës e pret Myles si një forcë të rëndësishme për ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila pritet të jetë një duel me intensitet të lartë dhe me rëndësi të madhe për fillimin e mbarë të kualifikimeve.
Myles pritet të bashkohet me ekipin kombëtar në ditët në vijim, ndërsa përzgjedhësi i Kosovës shpreson që përvoja dhe energjia e tij të ndikojnë pozitivisht në këtë cikël të ri garash. /AsistiOnline.com/




