Federata e Basketbollit të Kosovës ka bërë të ditur se në listën e Përfaqësueses A ka ardhur një ndryshim të rëndësishëm para ndeshjeve parakualifikuese të FIBA EuroBasket 2029.
Pas lëndimit të lojtarit Divine Myles dhe vlerësimeve mjekësore që konfirmuan pamundësinë e tij për të vazhduar, vendin e tij në përfaqësuese do ta marrë Malcolm Armstead.
Armstead, i cili më herët ka qenë pjesë e Kosovës në garat ndërkombëtare, ka shprehur menjëherë gatishmërinë për t’iu bashkuar ekipit në këtë fazë të rëndësishme të kualifikimeve. FBK ka falënderuar lojtarin për përgjigjen e shpejtë dhe përkushtimin për të përfaqësuar vendin.
Ndërkohë, Federata i ka uruar rikuperim të shpejtë Divine Myles, duke theksuar se shëndeti i lojtarit mbetet prioritet.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë parakualifikuese më 30 nëntor, nga ora 18:00, ndaj Shqipërisë. Ekipi i zgjeruar i Kosovës përfshin emra të njohur si Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati, Lis Shoshi, Gëzim Morina dhe të tjerë, që pritet të mbajnë barrën kryesore në sfidën e radhës.
Ndryshimi i fundit në listë pritet të sjellë stabilitet shtesë në repartin e jashtëm, teksa Kosova hyn në këtë duel me synimin për një start pozitiv në fazën e parakualifikimeve. /AsistiOnline.com/


