Klubi i Golden Eagle Yllit ka prezantuar sot trajnerin e ri të ekipit, Jeronimo Sarin, i cili nga tash do ta udhëheqë skuadrën suharekase në Superligën e Kosovës.
Sarin, i cili së fundmi drejtoi KB Vëllaznimin, bëhet pjesë e Yllit duke ndërruar klub, por jo edhe ligë, pasi vazhdon të mbetet në elitën e basketbollit kosovar. Emërimi i tij shihet si hap i rëndësishëm për klubin, që synon ta rikthejë stabilitetin dhe ritmin konkurrues në një kampionat gjithnjë e më të fortë.
Nga klubi është bërë e ditur se trajneri i ri pritet të sjellë energji të re, qasje të qartë taktike dhe drejtim të fortë në arritjen e objektivave për këtë sezon. Po ashtu, theksohet se përvoja e tij në menaxhimin e skuadrave me profil të lartë në Superligë do të jetë vlerë e shtuar për Yllin.
“Welcome Coach”, ka shkruar klubi në njoftimin e tyre, duke e mirëpritur Jeronimo Sarin në fillimin e këtij kapitulli të ri.
Golden Eagle Ylli tashmë nis punën me trajnerin e ri, duke synuar që me ndryshimin në krye të pankinës të ketë kthesë pozitive në paraqitjet e radhës. /AsistiOnline.com


