AsistiOnline e ka gjetur gabimin dhe me pamje e vërteton se Dardan Berisha me 37 vjet, në ndeshjen historike kundër Shqipërisë, ka shënuar 37 pikë dhe jo 35 sikurse është shënuar gabimisht në protokollin zyrtar.
AsistiOnline këtë e dëshmon me pamje nga transmetimi ekskluziv i bërë në Artmotion të dielën e 30 nëntorit në Qazim Dervishi të Shkodrës
Pamja e parë tregon se Dardani shënon gjuajtjen e dytë të lirë për pikën e tij të shtatë (0:7)
VIDEO 1: Pika e shtatë e Dardan Berishës dhe e Kosovës nga gjuajtja e lirë (0:7)
Pamja e dytë shfaq bashkëpunimin e dy Dardanëve për pikën e 10, Dardan Kapiti e kthen topin në treshe dhe asiston kurse Dardan Berisha me trepikëshin e tij të dytë në atë çast bombardon (3:10) dhe pikën e 10 rresht të Kosovës e realizon
VIDEO 2: Treshja dhe pika e dhjetë rresht e Dardan Berishës dhe e dhjeta e Kosovës në start (3:10)
E këtu vjen gabimi kur Drilon Hajrizi e vjedh topin, pason te Dardan Berisha dhe ai e përcjell tek Dardan Kapiti i cili topin ia kthen, Berisha depërton dhe pikën e tij të 12 rresht e realizon.
Këtu, procesmbajtësi gabon dhe në vend se të shtyp sustën me numër 11 ai gabimisht e shtyp në kompjuter të statistikave sustën me numër 12 dhe pikët e Dardanit i shënohen Drilon Hajrizit , gjë e cila dëshmohet me video dhe foto.
VIDEO 3: Depërtimi dhe pika e dymbëdhjetë rresht e Dardan Berishës në start (3:12)
Video tregon shënimin e pikëve të 12-ta të Kosovës nga Dardan Berisha kurse foto (screenshot) nga statistikat zyrtare të FIBA-së në faqen e ndeshjes Shqipëri – Kosovë tregojnë se pikët i janë shënuar gabimisht Drilon Hajrizi.
FOTO SCREENSHOT NGA STATISTIKAT ZYRTARE TE FIBA: Pikët i shënohen Drilon Hajrizit në vend se pika e dymbëdhjetë rresht e Dardan Berishës në start (3:12)

E gjithë kjo është e rëndësishme për simbolikën të cilën do ta barte pranimi zyrtar i shënimit të 37 pikëve: Kapiteni 37 vjeçar i Kosovës shënon 37 pikë në mbrëmjen historike, ky do të ishte titulli.
Pra, është gjetur gabimi dhe jo zyrtarisht (gjendja faktike) është se Dardani ka realizuar 37 pikë por gabimisht i janë hequr dy dhe ka mbetur në “vetëm” 35 pikë të shënuara në ndeshjen historike, të parën zyrtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku Dardan Berisha me 37 vjetët e tij dëshmoi se nuk është ende për pension dhe të gjithëve iu mbajti leksion duke u shpall MVP i ndeshjes me 35 pikë zyrtare (37 realisht), prej tyre 7 treshe duke shtuar edhe 6 asistime e 3 kërcime
Ishte kjo një mbrëmje e paharrueshme dhe një prej shfaqjeve më të mira të basketbollistit më të mirë shqiptar të Kosovës i gjitha kohëve, Dardan Berisha i cili me 15 nëntor i mbushi 37 vjet dhe në mbrmëjen historike të 30 nëntorit në Qazim Dervishi të Shkodrës, shkëlqeu si kurrë më parë.
Krejt në fund, për vërejtjen e këtij detaji duhet falënderuar ish ndihmës-trajnerin e Kosovës, Dritëro Sefajën i cili gjatë transmetimit e ka vërejtur këtë detaj dhe na ka lajmëruar.
Megjithatë, Dardan Berisha me 37 vjet shënoi 37 pikë për Kosovën në natën historike, le të mbetet e shënuar nga Agon Fehmiu dhe AsistiOnline për histori, si sihariq.


