Një përballje mjaft dramatike dhe e luftuar u zhvillua në Gjakovë, ku Vëllaznimi arriti të marrë një fitore të rëndësishme në fushën e vet, duke mundur kampionët në fuqi, Trepçën, me rezultatin 85:83.
Ndeshja ishte e mbushur me kthesa dhe ndryshime në rezultat gjatë gjithë kohës, por vendimtar në momentet finale ishte Marques Warrick, i cili realizoi tetë pikë radhazi. Në sekondat e fundit, Jericole Hellems shënoi pikët e fitores vetëm një sekondë para përfundimit, duke vulosur triumfin e skuadrës së tij.
Kuqezinjtë nisën furishëm, duke dominuar çerekun e parë me rezultat 31:19, por Trepça u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë, ku fituan periudhën e dytë me 33:15 dhe vazhduan me lojë të mirë edhe në të tretën (19:13). Në dhjetë minutat e fundit, ndeshja u bë shumë e luftuar, me Trepçën në avantazh, por falë dy tresheve dhe një shënimi tjetër të Warrick, plus pikëve vendimtare të Hellems, Vëllaznimi arriti të marrë fitoren e madhe.
Në këtë ndeshje, Drilon Hajrizi shkëlqeu me 24 pikë dhe tre kërcime, ndërsa Warrick përfundoi me 27 pikë dhe dy kërcime, kurse Hellems shtoi 24 pikë dhe tetë kërcime për skuadrën fituese.
Pas kësaj sfide, Trepça mbetet me pesë fitore dhe tri humbje, ndërsa Vëllaznimi numëron tani tri fitore dhe gjashtë humbje në këtë sezon.


