Under Header

spot_img

Çka po ndodh me Bashkimin? mposhtet nga dy ekipet me buxhetin më të vogël në ligë

spot_img

Bashkimi, që vetëm pak javë më parë dukej i pathyeshëm në krye të Superligës së Kosovës në basketboll, tashmë po përballet me një situatë alarmante.

Lideri i tabelës është mposhtur brenda pak ditësh nga dy prej ekipeve me buxhetet më të vogla në ligë – Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi – humbje që kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe vazhdimësinë e skuadrës prizrenase.

Pas largimit të Jan Palokajt, Bashkimi duket se nuk po e gjen ritmin e zakonshëm. Loja ka humbur qetësinë, struktura e sulmit ka pësuar rënie të dukshme, dhe ekipi ka filluar të shfaqë pasiguri në momente të rëndësishme të ndeshjeve. Situata përkeqësohet edhe më shumë nga raportimet për largimin e Altin Morinës, një tjetër goditje për prizrenasit.

Dy humbjet e fundit e kanë ngjeshur dukshëm garën për kreun e tabelës, duke bërë që Bashkimi të rrezikojë seriozisht pozitën e parë. GO+ Peja tashmë ka barazuar bilancin me ta dhe është futur fuqishëm në garë për vendin e parë, ndërsa presioni mbi prizrenasit është më i madh se kurrë.

Sfida e radhës nuk e bën situatën më të lehtë: në mesjavë, Bashkimi do të ketë përballë kampionen në fuqi, Trepçën. Një test i vërtetë për djelmoshat e Igor Jovoviq, të cilët do të kërkojnë të ndalin rënien dhe të rikthejnë stabilitetin në një moment kyç të sezonit.

A do të arrijë Bashkimi të rimëkëmbet apo po nis një krizë e thellë për liderin aktual? Xhiroja e ardhshme pritet të japë shumë përgjigje. /AsistiOnline.com

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme