Golden Eagle Ylli këtë sezon feston 50-vjetorin e themelimit të klubit dhe për këtë ka nisur stinorin aktual me synime të mëdha për t’u rikthyer te suksesi në basketbollin kosovar.
Përkundër investimeve të shumta, rezultatet e mira ende po mungojnë dhe ekipi deri tani nuk ka dhënë sinjale aspak pozitive.
Presidenti i klubit, Lendrit Palushi, në një intervistë për AsistiOnline.com, ka folur për sfidat dhe ndryshimet që kanë ndodhur deri më tani.
”Golden Eagle Ylli këtë sezon, i cili është edhe viti jubilar i 50-vjetorit të themelimit të klubit, e ka filluar me ambicie të qarta për t’u kthyer te sukseset. Përzgjedhja e trajnerit fillimisht është bërë me shumë kujdes dhe në letër shihej si një ndër lëvizjet më të mëdha këtë vit në basketbollin e Kosovës. Vazhimi i kontratave me të gjithë lojtarët më të mirë vendorë, si dhe afrimi i Erjon Kastratit dhe kontrata e tij afatgjatë me klubin, lënë të nënkuptohet se ky projekt ka për qëllim afatgjatësinë”, thotë fillimisht Palushi.
Pas rezultateve të dobëta në fillim, te Golden Eagle Ylli u ndërmor vendim i rëndësishëm për trajnerin. Ai tregon se çfarë ndodhi me këtë ndryshim.
”Pas 5 humbjeve radhazi, klubi ka vendosur të shkëpusë kontratën me trajnerin Fotis Takianos, duke e zëvendësuar me Jeronimo Sarin. Të gjithë lojtarët që po luajnë aktualisht janë zgjedhje e trajnerit të mëparshëm. Ne presim gjatë këtyre ditëve të bëjmë ndërhyrje në ekip, me së paku dy ndryshime”.
Palushi tregon për AsistiOnline.com edhe se si u bë zgjedhja e trajnerit të ri dhe çfarë presin nga ai.
”Pas shkëputjes së kontratës me trajnerin Fotis Takianos — vendim që na erdhi papritur pas humbjes nga Bora — jemi vënë në kërkim të trajnerit të ri, mirëpo pa e lëvizur asnjëherë objektivin që përzgjedhja të jetë në nivelin e duhur. Pas shumë bisedimeve me trajnerë kroatë, malazezë dhe spanjollë, vendosëm për trajnerin Jeronimo Sarin, i cili e ka dëshmuar vitin e kaluar që është trajner i nivelit që na nevojitet”.
Nga ndeshja e radhës presim angazhim më të madh dhe seriozitet më të lartë nga të gjithë lojtarët, sidomos nga ata vendorë, pasi me lojën që po tregojnë aktualisht askush nuk e ka vendin e sigurt te Golden Eagle Ylli.
Por, pse nuk po luan Scott Bamforth ende edhe pse u prezantua?
”Po, lojtari Scott Bamforth ka nënshkruar me ekipin tonë, por me kërkesë të lojtarit ai ka kërkuar të qëndrojë në Amerikë për disa arsye familjare dhe para festave të fundvitit do t’i bashkohet klubit tonë”, tregon numri një i skuadrës nga Theranda.
Krejt për fund, Palushi paralajmëroi se Golden Eagle Ylli deri në fund të stinorit do t’i ndjek synimet e veta.
”Fillimisht ju kërkojmë falje për startin e dobët, pasi pritshmëritë këtë vit ishin më të larta dhe investimet janë shumë më serioze se në sezonet e kaluara. Megjithatë, këtë vit kemi hyrë me synime të qarta dhe ato do t’i ndjekim deri në fund”, mbylli intervistën për AsistiOnline.com Palushi.
/AsistiOnline.com/


