Under Header

spot_img

Trepça përforcohet me veteranin amerikan Kenny Hasbrouck, i cili ka përvojë të jashtëzakonshme

spot_img

KB Trepça ka zyrtarizuar transferimin e amerikanit Kenny Hasbrouck, një emër i njohur në basketbollin evropian dhe amerikan, i cili vjen në Mitrovicë pas një karriere të gjatë e të larmishme në pesë kontinente.

Hasbrouck e kishte nisur rrugëtimin profesional në Shtetet e Bashkuara, te skuadra e NBA G League, Rio Grande Valley Vipers, ku spikati menjëherë me 16.9 pikë për ndeshje, duke tërhequr vëmendjen e tregut ndërkombëtar. Prej aty u transferua në Spanjë, ku veshi fanellën e Alicante, në elitën spanjolle, duke regjistruar 10.8 pikë mesatare.

Pas Spanjës, rrugëtimi i tij vazhdoi në Gjermani te Baskets Oldenburg, një ndër klubet më të forta të Bundesligës, ku sërish mbajti nivel të qëndrueshëm me 10.7 pikë.

Më pas karriera e Hasbrouck mori drejtim nga Italia, vend ku ka kaluar pjesën më të madhe të viteve të tij si profesionist. Fillimisht u bashkua me Bolonjën në Serie A, pastaj kaloi për një periudhë të shkurtër në Cantu dhe më pas përsëri te Bolonja, duke u bërë një emër i njohur në basketbollin italian. Në Serie A2 ai shkëlqeu me Ferrara, ku shënoi 20.5 pikë për ndeshje – një nga sezonet më dominuese të karrierës së tij – si dhe me Piacenza, Aurora Jesi, Bolonja, Tezenis Verona, Biella dhe sërish Ferrara, duke u bërë ndër amerikanët më produktivë të ligës së dytë italiane për shumë vite me radhë.

Lojtari ka provuar veten edhe në tregjet e tjera elitare. Në Turqi, me Mersin, kontribuoi në një nga ligat më fizike në Evropë. Ndërsa në Spanjë u rikthye edhe disa herë, duke luajtur për Caceres dhe më vonë për Lleida, si në divizionin e dytë, ashtu edhe në ACB.

Hasbrouck ka përvojë edhe në Amerikën Latine, ku ka qenë pjesë e Spartans Distrito Capital në Venezuelë, si dhe së fundmi në Meksikë me klubin Dorados de Chihuahua, ku mbylli sezonin me mbi 11 pikë për ndeshje.

Edhe pse 39 vjeçar, me këtë CV të pasur dhe shumëdimensionale, Kenny Hasbrouck pritet t’i sjellë Trepçës përvojë, stabilitet në rolin e fundorit. Ai njihet për lojë të zgjuar, përvojë në ndeshje të presionit të lartë dhe kontribut të dyanshëm në parket. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme