Trepça ka marrë një fitore të madhe në Prizren, duke triumfuar ndaj Bashkimit në derbin e javës së 10-të të ProCredit Superligës, me rezultat 64:71.
Ndeshja nisi në mënyrë ideale për prizrenasit, të cilët shpërthyen që në fillim me një seri 18:3 dhe e mbyllën çerekun e parë 22:10. Portokallezinjtë madje krijuan epërsi prej 15 pikësh, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur rikthimin e fuqishëm të kampionëve në fuqi.
Nga periudha e dytë e tutje, mitrovicasit morën kontrollin e lojës duke fituar tre çereqet radhazi: 14:18, 14:20 dhe 14:23. Me një qasje më agresive në mbrojtje dhe efikasitet më të madh në sulm, Trepça arriti të përmbysë plotësisht rezultatin dhe të mbyllë takimin me +7 pikë.
Te Bashkimi, lojtari më i spikatur ishte Dequon Lake, i cili regjistroi një double-double mbresëlënës me 20 pikë dhe 13 kërcime. Në anën tjetër, Mikaile Tmusiq ishte njeriu kyç i “Xehetarëve”, duke shënuar po ashtu 20 pikë, krahas 7 kërcimeve dhe 3 asistimeve.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi për Bashkimin, që më herët kishte një seri prej shtatë fitoreve të njëpasnjëshme. Ndërkohë, Trepça shkon në kuotën e gjashtë fitoreve dhe tri humbjeve, duke e forcuar pozicionin e saj në renditje.



