Sonte në Pejë zhvillohet një tjetër sfidë interesante e xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës, ku Go+ Peja pret skuadrën e Borës, në një duel që mund të sjellë lëvizje të rëndësishme në renditje.
Pejanët, që momentalisht kanë bilanc 7 fitore dhe 2 humbje, me një triumf eventual mund të ngjiten në pozitën e parë të tabelës, duke e bërë këtë takim me peshë të madhe për ambiciet e tyre sezonale.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në “Karagaçi”, ku vendasit kërkojnë ta vazhdojnë formën pozitive.
Në anën tjetër, Bora vjen në këtë duel me bilanc 3 fitore dhe 5 humbje, por e ka dëshmuar se mund t’i bëjë surprizat e xhiros, duke qenë një skuadër që lufton deri në fund dhe nuk dorëzohet lehtë.
Takimi nis nga ora 18:45, dhe pritet të sjellë shumë intensitet, ritëm dhe emocione për të gjithë adhuruesit e basketbollit. /AsistiOnline.com


