KB Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar pjesën e parë të sezonit 2025/2026 në Ligën e dytë të Kosovës, duke regjistruar 5 fitore dhe 3 humbje pas tetë ndeshjeve të zhvilluara.
Ekipi e mbyll këtë fazë me një paraqitje të qëndrueshme, ku përkushtimi dhe uniteti kanë qenë elementet kryesore gjatë gjithë rrugëtimit.
Gjatë kësaj pjese të sezonit, çdo ndeshje ka kërkuar sakrificë dhe angazhim maksimal nga lojtarët, ndërsa fitoret kanë ardhur si rezultat i punës së vazhdueshme dhe besimit brenda grupit. Edhe në ndeshjet ku nuk janë arritur rezultatet e dëshiruara, ekipi ka treguar karakter, duke i shndërruar ato në përvojë dhe mësim për vazhdimësinë e garave.
Nga KB Policia e Kosovës vlerësohet se kjo është vetëm gjysma e sezonit dhe se synimi mbetet rritja e nivelit të lojës në pjesën e dytë të kampionatit. Klubi ka falënderuar gjithashtu të gjithë mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se mbështetja e tyre mbetet një shtysë e rëndësishme për ekipin.
Pjesa e dytë e sezonit pritet të sjellë sfida të reja, ndërsa KB Policia e Kosovës synon ta vazhdojë kampionatin me të njëjtin angazhim dhe fokus.


