KB Rahoveci 029 ka zgjedhur një mënyrë thumbuese për të reaguar pas fitores së madhe ndaj Pejës, duke publikuar një imazh simbolik që ka nxitur diskutime në opinionin sportiv.
Në fotografi shihet një ylli i ekipit Kentram Pullian i veshur elegant, përballë një tabele shahu, ndërsa figurat – mbretër, mbretëresha dhe ushtarë – duken sikur janë në lëvizje, në një skenë që përçon qartë mesazhin e strategjisë, durimit dhe inteligjencës taktike.
Postimi i ”vreshtarëve” duket si një provokim i drejtpërdrejtë apo “thumb” për kundërshtarët, si dhe një deklaratë identiteti: Rahoveci 029 nuk po fiton me emra të mëdhenj apo buxhete marramendëse, por me plan, disiplinë dhe lexim të saktë të lojës – ashtu si në shah.
Kjo merr edhe më shumë peshë kur kujtojmë faktin e madh se Rahoveci 029 është ekipi me buxhetin më të vogël në garë, që sipas të gjitha gjasave nuk e kalon as shifrën prej 200 mijë eurosh. Përkundër kësaj, me një trajner vendor dhe një përbërje modeste në letër, skuadra renditet e pesta në mesin e tetë ekipeve, me bilanc prej 5 fitoreve dhe 6 humbjeve.
Ajo që e bën edhe më domethënës këtë postim është fakti se Rahoveci 029 deri tani ka mposhtur dy skuadrat kryesuese të tabelës – Bashkimin dhe Pejën. Pra, figurat e shahut në imazh mund të lexohen si metaforë e qartë: në këtë lojë nuk fiton gjithmonë ai që ka më shumë “figura të shtrenjta”, por ai që i përdor më mirë ato që ka.
Në këtë prizëm, postimi i KB Rahoveci 029 është më shumë një mesazh vetëbesimi dhe filozofie sportive, sesa një thumb për kundërshtarët – një kujtesë se në basketboll, sikurse në shah, strategjia shpesh vlen më shumë se buxheti.



