Nis xhiroja e mesjavës në Superligë, Vëllaznimi–Rahoveci hapin programin
Xhiroja e mesjavës në elitën e basketbollit kosovar nis sot me përballjen që zhvillohet në Gjakovë, ku Vëllaznimi pret Rahovecin 029.
Ndeshja do të luhet në palestrën “Shani Nushi” dhe hap programin e kësaj xhiroje nga ora 18:45.
Skuadra e Vëllaznimit hyn në këtë takim nga pozita e fundit në tabelë, me bilanc prej 3 fitoreve dhe 8 humbjeve, ndërsa Rahoveci 029 renditet në vendin e gjashtë, me 5 fitore dhe 6 humbje pas xhirove të zhvilluara deri tani.
Takimi pritet të jetë i rëndësishëm për të dy ekipet, si në aspektin e renditjes, ashtu edhe për vazhdimësinë e sezonit, teksa xhiroja e mesjavës sjell edhe duele të tjera interesante në ditët në vijim.


