Edhe një herë, sporti në Kosovë po paguan çmimin e vendimeve politike. Përdorimi i palestrave sportive për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me sportin ka sjellë, sërish, ndalimin e aktiviteteve garuese për sportet me dorë, duke i detyruar sportistët dhe klubet të ndërpresin sezonin në mes, pa asnjë faj të tyre.
Brenda vetëm një viti kalendarik, kjo është e disata herë që ekipet e basketbollit dhe sportet e tjera me dorë detyrohen të ndalin aktivitetet me urdhër, jo për arsye sportive, por për shkak të interesave dhe nevojave të politikës.
Një realitet i tillë dëmton drejtpërdrejt sportistët, klubet, trajnerët dhe vetë garat, duke prishur ritmin konkurrues, përgatitjen fizike dhe planifikimin profesional.
Sipas vendimit zyrtar, palestrat sportive nuk janë në dispozicion duke filluar nga data 22 dhjetor 2025, ndërsa vazhdimi i garave në basketboll është paraparë më së hershmi më 7/8 janar 2026. Kjo do të thotë se ekipet e basketbollit do të jenë të detyruara të ndërpresin zhvillimin e ndeshjeve për 16 ditë rresht, respektivisht më shumë se dy javë të plota pa gara zyrtare.
Në një sezon tashmë të ngarkuar, një ndërprerje e tillë nuk është aspak e vogël. Ajo ndikon në formën sportive të lojtarëve, në aspektin financiar të klubeve, në interesimin e tifozëve dhe në kredibilitetin e vetë garave. Për më tepër, kjo situatë krijon precedent të rrezikshëm, ku sporti vazhdon të trajtohet si mjet dytësor, i cili mund të ndalet sa herë që politika e sheh të nevojshme.
Sporti nuk është dekor dhe as hapësirë rezervë për vendime administrative. Ai është investim, shëndet, disiplinë dhe përfaqësim dinjitoz i vendit. Derisa palestrat vazhdojnë të shfrytëzohen për qëllime të tjera, sportistët do të mbesin peng i një sistemi që, fatkeqësisht, ende nuk e sheh sportin si prioritet. /AsistiOnline.com/



