Under Header

spot_img

Në Gjermani thehet rekordi i numrit të publikut, kontrast i thellë me realitetin në Kosovë

spot_img

Në vikend në basketbollin gjerman u thye rekordi i publikut të pranishëm në palestër.

Në ndeshjen e basketbollit elitar gjerman mes Bonit dhe Bayernit të Mynihut në LANXESS Arena të Bonit, ishin të pranishëm hiç më pak se 18 mijë e 713 tifozë, duke krijuar një atmosferë të shkëlqyer.

Ndërkohë në Kosovë, ende nuk janë krijuar as kushtet minimale për tifozë dhe as për klube. Madje gjeneratat e reja shpesh as nuk kanë ku të stërviten. Tifozët mërdhihen nga të ftohtit sepse në palestrat tona të ndërtuara para gati gjysmë shekulli nuk ka sisteme të ngrohjes. Klubet privohen nga e drejta për zhvillimin e ndeshjeve, kurdo që politika ka nevojë për palestra e fushata.

Kjo situatë e përsëritur po e dëmton rëndë zhvillimin e sportit vendor dhe po e largon edhe më shumë publikun nga palestrat. Në vend që sporti të shërbejë si motivim për të rinjtë dhe si hapësirë pozitive shoqërore, ai vazhdon të trajtohet si prioritet i dorës së dytë, pa strategji afatgjate dhe pa investime serioze në infrastrukturë.

Kontrasti mes asaj që ndodh në shtetet evropiane dhe realitetit në Kosovë është alarmues. Derisa diku thyen rekorde publiku dhe krijohen kushte moderne për tifozë, sportistë dhe klube, këtu ende diskutohet për mbijetesë bazike të aktiviteteve sportive. Pa palestra funksionale, pa ngrohje, pa orare të rregullta dhe pa siguri organizative, është e pamundur të flitet për progres të qëndrueshëm.

Nëse sporti vazhdon të mbetet peng i politikës dhe i mungesës së vizionit institucional, pasojat do t’i vuajnë pikërisht gjeneratat e reja dhe vetë imazhi i Kosovës në arenën sportive. Koha për ndryshim është tani, përpara se palestrat të mbesin bosh dhe sporti të humbasë rolin e tij më të rëndësishëm në shoqëri. /AsistiOnline.com/

 

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme