Rivaliteti mes Alonzo Verge Jr dhe Darnell Edge është zhvendosur nga parketet e Kosovës në Bundesligën e Gjermanisë.
Javë më parë edhe Darnell Edge u transferua në elitën e basketbollit gjerman, duke iu bashkuar skuadrës së Ludwigsburgut, në të njëjtën ligë ku aktivizohet edhe Alonzo Verge Jr me ekipin e Vechta-s.
Megjithatë, paraqitjet e dy lojtarëve kanë qenë të ndryshme deri më tani. Ndërsa Verge po shkëlqen si një nga lojtarët më të dalluar të ligës, Edge ende nuk ka arritur të gjejë ritmin e tij optimal. Në pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani me Ludwigsburgun, Edge ka mesatare prej 6.6 pikësh dhe 2.4 asistimesh për ndeshje.
Pak ditë më parë u zhvillua edhe përballja direkte mes dy skuadrave, ku Vechta triumfoi ndaj Ludwigsburgut me rezultat 86-80. Në këtë ndeshje, Alonzo Verge Jr ishte një nga më të dalluarit me 18 pikë të realizuara, ndërsa Darnell Edge u ndal në vetëm 5 pikë.
Verge dhe Edge njihen mirë për rivalitetin e tyre nga basketbolli kosovar. Verge ishte pjesë e Golden Eagle Yllit, ndërsa Edge mbante fanellën e Trepçës. Dyshja u përball edhe në finalen e kampionatit të Kosovës, ku në fund triumfuan mitrovicasit, duke fituar titullin kampion.
Tashmë, rivaliteti i njohur nga Superliga e Kosovës po vazhdon edhe në Bundesligën gjermane, këtë herë në një nivel edhe më të lartë konkurrues. /AsistiOnline.com/


