Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të vitit 2025, të cilin e ka cilësuar si një nga vitet më aktive për organizimin e garave, përfaqësimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e basketbollit në vend.
Sipas FBK-së, viti 2025 shënoi edhe përfundimin e ciklit të parë strategjik 2021–2025, duke u konsideruar si bazë për hartimin e strategjisë së re zhvillimore për periudhën 2026–2030. Gjatë kësaj periudhe, federata ka qenë e angazhuar në konsolidimin e strukturave organizative dhe në zhvillimin e aktiviteteve në nivele të ndryshme të basketbollit.
Garat vendore
Gjatë vitit 2025, FBK ka organizuar gjithsej 21 gara vendore, duke përfshirë kategoritë e reja nga U12 e deri te Liga e Veteranëve. Në ProCredit Superligë, sezoni u zhvillua me rivalitet të theksuar, ndërsa Trepça arriti të fitojë Superkupën, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit.
Në konkurrencën e femrave, Bashkimi fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, ndërsa Superkupa u fitua nga Peja 03.
Paraqitjet ndërkombëtare
Klubet kosovare kanë qenë të pranishme në garat evropiane, me Trepçën dhe Bashkimin në Basketball Champions League dhe FIBA Europe Cup. Po ashtu, Sigal Prishtina dhe Peja vazhduan pjesëmarrjen në Ligën ENBL.
Një nga momentet e veçanta të vitit ishte fitorja e parë e Peja 03 në fazën e grupeve të FIBA Women’s EuroCup, në pjesëmarrjen debutuese të klubit në këtë garë.
Liga Unike dhe kombëtaret
Në Ligën Unike, edicioni 2025 u përmbyll me titullin e fituar nga Vëllaznimi në konkurrencën e meshkujve dhe Flamurtari i Vlorës në konkurrencën e femrave.
Sa i përket përfaqësueseve kombëtare, Kosova ka qenë e përfaqësuar me tetë ekipe kombëtare në gara zyrtare ndërkombëtare. Kosova U20 (meshkuj) u rendit e teta në Kampionatin Evropian, Divizioni B, ndërsa Kombëtarja A zhvilloi ndeshje kualifikuese dhe e mbylli vitin me fitore ndaj Shqipërisë në parakualifikimet për FIBA EuroBasket 2029.
Programet zhvillimore dhe aktivitetet
FBK ka vazhduar zbatimin e programeve zhvillimore si basketbolli 3×3 në shkolla, Her World, Her Rules, JR NBA Kosova dhe projekte të tjera me fokus te të rinjtë dhe përfshirja e vajzave në sport.
Gjatë vitit janë organizuar edhe seminare dhe trajnime për trajnerë dhe gjyqtarë, si dhe disa evente ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë gara dhe takime të FIBA Europe.
Vlerësimet e vitit
Në fund të vitit, FBK organizoi Mbrëmjen Gala, ku u ndanë çmimet për më të dalluarit e basketbollit kosovar. Dardan Berisha dhe Malvina Haziri u shpallën më të mirët e vitit 2025, ndërsa Trepça dhe Bashkimi u vlerësuan si klubet më të mira te meshkujt dhe femrat.
Federata e Basketbollit të Kosovës, përmes kësaj përmbledhjeje, ka prezantuar aktivitetet dhe zhvillimet kryesore të vitit 2025, duke e cilësuar këtë periudhë si bazë për planifikimet e ardhshme.


