Vëllaznimi ka zyrtarizuar përforcimin e radhës për vazhdimin e sezonit, duke arritur marrëveshje me basketbollistin amerikan Derrick Wilson.
Wilson është një emër i njohur për basketbollin kosovar, pasi në vitet e fundit ka qenë pjesë e Superligës së Kosovës, duke luajtur edhe për dy skuadra të tjera vendore Sigal Prishtinën e Golden Eagle Yllin.
Rikthimi i tij në elitën e basketbollit kosovar vjen në një moment kur Vëllaznimi po synon stabilitet dhe rritje të konkurrencës në vazhdim të kampionatit.
Përveç përvojës në Kosovë, Wilson ka zhvilluar karrierë edhe jashtë vendit, ku ka luajtur në Danimarkë me Copenhagen, Horsens dhe Svendborg, në Suedi me Djurgarden, në Turqi me Sigortam, si dhe në Hungari me Zalakeramia.
Me këtë transferim, Vëllaznimi shton një lojtar me përvojë ndërkombëtare në përbërje, i cili pritet të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjet e ardhshme të Superligës. /AsistiOnline.com/


