Drejtori gjeneral i KB Bashkimit, Kushtrim Kabashi, ka reaguar publikisht pas incidentit të ndodhur në ndeshjen ndaj KB GO+Peja në Prizren, ku për shkak të hedhjes së shkrepsave nga tribunat, u godit pranë syrit lojtari i skuadrës mysafire, Dardan Berisha.
Në deklaratën e tij për AsistiOnline.com, Kabashi ka bërë të ditur se incidenti është shkaktuar nga 3–4 individë të papërgjegjshëm, duke theksuar se ky veprim i papranueshëm dhe vulgar nuk përfaqëson vlerat e KB Bashkimit, as shumicën dërrmuese të tifozëve të klubit dhe as qytetin e Prizrenit.
Si pasojë e këtij akti, Federata e Basketbollit të Kosovës ka dënuar KB Bashkimin me 3,200 euro gjobë si dhe me zhvillimin e tri ndeshjeve pa praninë e tifozëve në tribunën ballore qendrore të sallës.
Kabashi ka theksuar se ky dënim nuk është rezultat i sjelljes së klubit, lojtarëve apo tifozëve korrektë, por pasojë direkte e veprimeve të disa individëve që, sipas tij, po i shkaktojnë dëm të madh klubit.
“Ky është një dënim i rëndë dhe një ‘dhuratë e hidhur’ nga persona që qartazi nuk ia duan të mirën KB Bashkimit. Me këto veprime po dëmtohet klubi, po largohen shikuesit e përgjegjshëm dhe po rrezikohen investimet serioze që bëhen në klub”, ka theksuar drejtori i Bashkimit.
Ai ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm, duke kërkuar që palestrat të rikthehen në arena sportive dhe festive, e jo në strehë për huliganizëm. Sipas tij, është momenti i fundit që tifozët të tregojnë përgjegjësi, në mënyrë që klubi të mos vuajë më pasojat e veprimeve të pak individëve.
Po ashtu, Kabashi ka njoftuar se nga tani e tutje qendra sportive do të jetë e monitoruar nga kamerat e sigurisë, të cilat do të përdoren për identifikimin e personave të papërgjegjshëm. Çdo rast do të raportohet në organet e rendit dhe personave të përfshirë do t’u ndalohet hyrja në sallë në të ardhmen.
Deklarata e drejtorit të KB Bashkimit vjen pas një serie reagimesh dhe dënimesh disiplinore nga FBK, ndërsa klubi ka theksuar se do të bashkëpunojë plotësisht me institucionet për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve të ardhshme.
Deklarimi i plotë dhe pa ndërhyrje:


