Under Header

spot_img

KB Bashkimi dënon ashpër incidentin e mbrëmshëm ndaj Dardan Berishës

spot_img

KB Bashkimi ka dalë me një reagim zyrtar pas ndeshjes së fundit, duke shprehur shqetësimin për disa raste të sjelljeve jo-sportive të evidentuara në palestrën “Sezai Surroi”, dje në ndeshjen ndaj Pejës.

Klubi ka vlerësuar lart përkrahjen dhe përkushtimin e tifozëve portokall e zi, duke theksuar se atmosfera e krijuar nga ta e ka bërë këtë palestër një ndër ambientet sportive më të mira në Kosovë. Megjithatë, Bashkimi ka rikujtuar se hedhja e çfarëdo sendi në fushë është rreptësisht e ndaluar dhe përbën shkelje serioze të rregullave.

Sipas njoftimit, gjatë ndeshjes së fundit janë shënuar disa raste të hedhjes së sendeve në parket nga individë të papërgjegjshëm. Edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël personash, klubi thekson se këto veprime rrezikojnë shëndetin e lojtarëve, sjellin pasoja financiare për klubin dhe mund të çojnë deri te zbrazja e sallës në ndeshjet e ardhshme.

KB Bashkimi ka bërë të ditur se kamerat e sigurisë janë duke u monitoruar për të identifikuar personin që ka goditur me shkrepës një lojtar të Klubit Go+Peja. Po ashtu, është paralajmëruar se monitorimi do të jetë i vazhdueshëm në çdo ndeshje, ndërsa çdo person që hedh mjete të forta apo sende të tjera në fushë do të identifikohet, do të denoncohet në organet e rendit dhe do t’i ndalohet hyrja në palestër për të gjitha ndeshjet ku luan KB Bashkimi.

Klubi ka theksuar se shembull për t’u ndjekur janë tifozët Arpagjik’t, të cilët, sipas reagimit, e mbështesin Bashkimin me pasion, korrektësi dhe pa shkaktuar probleme për klubin.

Në fund, KB Bashkimi është distancuar qartë nga veprimet jo-sportive të ndodhura në ndeshjen e fundit dhe në përgjithësi nga çdo sjellje e tillë, duke kërkuar nga tifozët kulturë sportive, përgjegjësi dhe respekt ndaj lojtarëve, kundërshtarëve dhe gjyqtarëve.

Klubi ka ritheksuar se Bashkimi mbështetet me pasion, por vetëm me respekt dhe disiplinë. /AsistiOnline.com

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme