Under Header

spot_img

Ekskluzive: Paco Olmos te Golden Eagle Ylli?

spot_img

Golden Eagle Ylli mund të bëhet shpejtë me trajner të ri.

Sipas burimeve të AsistiOnline.com të afërta me trajnerin spanjoll, Paco Olmos shihet si një nga opsionet e mundshme për të marrë drejtimin e skuadrës së Golden Eagle Yllit.

I njëjti burim bën të ditur se ish-trajneri i Prishtinës është duke u konsideruar seriozisht si një prej alternativave për stolin e skuadrës nga Suhareka.

Olmos, i lindur më 10 korrik 1970 në Valencia të Spanjës, është një emër me përvojë të gjerë ndërkombëtare në basketboll dhe sjell me vete një CV të pasur.

Karrierën e tij e nisi në vitet ’90 me kategoritë e reja të Valencia Basket, ndërsa në sezonin 2002/03 mori drejtimin e ekipit të parë, ku arriti suksese të rëndësishme, përfshirë fitimin e Kupës ULEB dhe pozitën e nënkampionit në Ligën e fortë spanjolle.

Më pas, trajneri spanjoll drejtoi disa skuadra në ligat elitare të Spanjës, si CB Calpe, Melilla Baloncesto dhe Menorca Bàsquet, me të cilën siguroi promovimin historik në Ligën ACB në sezonin 2009/10.

Në vitin 2013, Olmos u emërua trajner i kombëtares së Porto Rikos, duke e udhëhequr atë në Kampionatin Botëror të Basketbollit 2014, të zhvilluar në Spanjë. Karriera e tij vazhdoi më pas në Amerikën Latine, ku drejtoi skuadra si Cangrejeros de Santurce në Porto Riko dhe Fuerza Regia në Meksikë, me këtë të fundit duke fituar tre tituj kampioni në ligën elitare meksikane.

Në vitin 2021, Olmos u rikthye në Spanjë për të drejtuar Breogán në elitën spanjolle, ndërsa në janar të vitit 2022 u emërua trajner i San Pablo Burgos.

Olmos në dy vitet e fundit ka punuar në Meksikë me Halcones de Xalapa.

Mbetet të shihet nëse bisedimet do të konkretizohen, por sipas burimeve të AsistiOnline.com, emri i Paco Olmos është një nga opsionet që po shqyrtohen për të ardhmen e Golden Eagle Yllit. /AsistiOnline.com/

 

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme