KB Vëllaznimi ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të ekipit mysafir u godit me shishe plastike.
Klubi nga Gjakova ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke e dënuar ashpër çdo akt dhune në sport, të cilin e ka cilësuar si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e fair-play-it dhe sigurisë sportive.
Në reagimin e Vëllaznimit theksohet se klubi kuqezi ka qenë gjithmonë i përkushtuar për organizim korrekt, të sigurt dhe dinjitoz të ndeshjeve, duke respektuar rreptësisht rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Sipas klubit, organizimi i ndeshjes ishte plotësisht në përputhje me rregullativën në fuqi, me prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit, të kërkuar nga vetë klubi organizator.
KB Vëllaznimi mohon akuzat se incidenti ka ardhur si pasojë e dështimit të organizatorit, duke sqaruar se me lejen e delegatit të ndeshjes dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, disa persona të ekipit mysafir janë lejuar të vendosen në një zonë të palestrës ku nuk lejohet prania e shikuesve. Sipas klubit, kjo zonë duhej të ishte e kontrolluar dhe e siguruar, ndërsa nga aty ka ardhur edhe mjeti i hedhur në parket, fakt që, sipas tyre, mund të vërtetohet nga videoincizimet zyrtare.
Klubi nga Gjakova rikujton se kishte kundërshtuar paraprakisht praninë e tifozëve mysafirë në sallë, në përputhje me vendimet e FBK-së për ndalimin e udhëtimeve të tifozërive, duke theksuar se përgjegjësia për situatën nuk mund t’i atribuohet vetëm KB Vëllaznimit.
Po ashtu, KB Vëllaznimi ka shprehur shqetësim për, siç e quan, aplikimin e standardeve të dyfishta, duke krahasuar vendimin për zbrazjen e plotë të palestrës në Gjakovë me një rast të mëhershëm në Prizren, ku pas një incidenti më të rëndë, u vendos vetëm zbrazja e një pjese të sallës. Sipas klubit, ky trajtim i pabarabartë cenon parimin e barazisë dhe besimin e klubeve në ndershmërinë e garës.
Në fund, KB Vëllaznimi i bën thirrje Federatës së Basketbollit të Kosovës për trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme, analizë objektive të pamjeve filmike dhe shmangie të deklaratave që, sipas tyre, dëmtojnë padrejtësisht imazhin e klubit.
Komunikata mbyllet me theksimin se klubi mbetet i përkushtuar për sport të pastër, siguri dhe bashkëpunim institucional, por nuk do të pranojë bartjen e përgjegjësive që nuk i takojnë.
Njoftimi i plotë i klubit:
KOMUNIKATË ZYRTARE
KB.Vëllaznimi – Gjakovë
KB.Vëllaznimi shpreh shumë keqardhje dhe dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të KB Bashkimit u godit me shishe plastike. Çdo akt dhune në sport është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet bazë të fair-play-it dhe sigurisë sportive.
KB.Vëllaznimi thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për pritje korrekte, të sigurt dhe dinjitoze të ekipeve mysafire, stafit të tyre teknik dhe zyrtarëve të ndeshjes, duke respektuar në mënyrë strikte rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Organizimi i ndeshjes ka qenë plotësisht në përputhje me rregullativën e FBK-së, me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit, të kërkuar vetë nga KB.Vëllaznimi. Ky fakt dëshmon qartë se organizatori ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtje të sigurt të ndeshjes.
Në këtë kontekst, akuza se incidenti ka ndodhur si pasojë e dështimit të organizatorit nuk qëndron. Duhet theksuar qartë se me lejen e delegatit të ndeshjes dhe në koordinim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, janë lejuar disa persona të ekipit mysafir që të vendosen në një zonë të palestrës ku nuk lejohet prania e shikuesve, e cila sipas rregullave duhet të jetë zonë e kontrolluar dhe e siguruar.
KB.Vëllaznimi fton Federatën e Basketbollit të Kosovës që të analizojë me kujdes videoincizimet zyrtare të ndeshjes, për të konstatuar:
● mënyrën se si ka ardhur deri te grumbullimi i tifozëve prizrenas në një zonë të ndaluar;
● faktin se këta persona janë lejuar aty pa pëlqimin e KB.Vëllaznimit;
● dhe se ata kanë mbetur tërësisht të pasiguruar dhe pa mbikëqyrje, çka përbën dështim të zinxhirit të vendimmarrjes institucionale dhe jo të organizatorit vendor.
Pikërisht nga ajo zonë e ndaluar ka ardhur edhe mjeti i hedhur në parket, fakt ky që mund të verifikohet qartë nga pamjet filmike. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mund dhe nuk duhet t’i atribuohet vetëm KB.Vëllaznimit, i cili paraprakisht ka kundërshtuar praninë e tifozëve mysafirë në sallë, në përputhje me vendimet e FBK-së për ndalimin e udhëtimit të tifozërive.
Njëkohësisht, KB.Vëllaznimi shpreh shqetësim serioz për aplikimin e standardeve të dyfishta, duke rikujtuar rastin e fundit kur në Prizren, basketbollisti Dardan Berisha u godit me mjet të fortë dhe u gjakos, ndërsa u vendos vetëm zbrazja e një pjese të palestrës. Në Gjakovë, një javë më pas, për një situatë identike apo më të lehtë, u urdhërua zbrazja e tërë sallës, vendim disproporcional dhe i pabarabartë.
Ky trajtim selektiv cenon rëndë parimin e barazisë, sigurinë juridike dhe besimin e klubeve në ndershmërinë e garës, duke krijuar perceptimin e padrejtë se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.
KB.Vëllaznimi kërkon nga FBK:
● trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme;
● analizë objektive të provave filmike;
● dhe shmangie të deklaratave tendencioze që dëmtojnë padrejtësisht imazhin e klubit tonë.
Ne mbetemi të përkushtuar për sport të pastër, siguri dhe bashkëpunim institucional, por nuk do të pranojmë bartjen e përgjegjësive që nuk na takojnë.
KB.Vëllaznimi
Gjakovë, 15.01.2026