Pas largimit të trajnerit të deritanishëm, KB Rahoveci ka lëvizur shpejt për të kompletuar stafin teknik.
Sipas burimeve të AsistiOnline.com, klubi rahovecas ka arritur marrëveshje me trajnerin maqedonas Goran Samardziev, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës në vazhdim të sezonit.
Samardziev, 44-vjeçar, vjen në Rahovec me përvojë të konsiderueshme në basketbollin e Maqedonisë së Veriut. Për katër vite radhazi ai ka drejtuar Feni Industries, ku ka qenë pjesë e projekteve afatmesme dhe zhvillimore të klubit, ndërsa në dy sezonet e fundit ka qenë trajner i Rabotniqkit, një nga emrat më të njohur të basketbollit maqedonas.
Përveç angazhimeve në nivel klubesh, Samardziev është edhe selektor i kombëtares së Maqedonisë së Veriut U20, rol që dëshmon besimin dhe vlerësimin që gëzon në federatën e vendit të tij.
Ai konsiderohet në Maqedoni si një trajner me perspektivë të lartë, i fokusuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe ndërtimin e ekipeve konkurruese.
Zyrtarizimi pritet në orët në vijim, ndërsa Rahoveci synon që me këtë emërim të stabilizojë skuadrën dhe të arrijë objektivat e përcaktuara për pjesën e mbetur të sezonit. /AsistiOnline.com/


