Komisioni i Garave i FBK-së, ka publikuar vendimet pas ngjarjeve të fundit në basketbollin e Kosovës, ku në fokus të veçantë ka qenë incidenti i ndodhur në Gjakovë, gjatë ndeshjes Vëllaznimi – Bashkimi.
Sipas vendimit zyrtar, KB Vëllaznimi është ndëshkuar në disa pika. Klubi gjakovar është gjobitur me 700 euro, bazuar në nenin 51.6 të Propozicioneve të Garave, ndërsa një dënim edhe më i rëndë është shqiptuar për shkak të hedhjes së shishes plastike nga tribunat.
Për këtë incident, Vëllaznimi është dënuar me 1,500 euro gjobë dhe tri ndeshje pa shikues, konkretisht në pjesën e ballkonit nga ku është hedhur shishja, në përputhje me nenin 51.19 të PG. Ky vendim sipas FBK-së, vjen si masë ndëshkuese dhe paralajmëruese për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në palestra.
Incidenti i regjistruar në Gjakovë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta sportive dhe financiare për Vëllaznimin. /AsistiOnline.com/


