Federata e Basketbollit të Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht interesimin për ta pasur Jan Palokajn pjesë të Përfaqësueses së Kosovës, duke sqaruar njëkohësisht edhe procedurat që po ndiqen për regjistrimin e tij në FIBA.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në një deklarim për AsistiOnline.com gjatë ditës së sotme, ka bërë të ditur se kontakti me Palokajn është bërë që më herët dhe se lojtari ka shprehur gatishmëri për ta përfaqësuar Kosovën që nga ajo kohë.
Megjithatë, ajo ka theksuar se procesi është më i ndërlikuar, për shkak se Palokaj ka qenë më parë pjesë e përfaqësueseve të Kroacisë.
“Federata e Basketbollit të Kosovës është shumë e interesuar ta ketë në radhët e veta Jan Palokajn. Ne kemi biseduar me të kohë më parë dhe ai ka shprehur gatishmëri që atëherë. Megjithatë, për shkak se ai më herët është paraqitur për Përfaqësueset e Kroacisë, situata është më e komplikuar në raport me regjistrimin e tij në FIBA si lojtar kosovar (jo i natyralizuar),” thotë Dushku.
Sipas Dushkut, dokumentacioni i nevojshëm tashmë është i kompletuar dhe Federata do të bëjë përpjekje të reja për ta çuar përpara këtë proces pranë FIBA-s.
“Sidoqoftë, dokumentacionin e tij e kemi të kompletuar dhe tani do të bëjmë përpjekje sërish për këtë proces. Do të mundohemi që çdo hap të realizohet sa më shpejt, në mënyrë që Jani t’i bashkohet ekipit sa më parë,” përfundon deklarimin Dushku.
FBK mbetet në pritje të vendimit final nga FIBA, me shpresën që Palokaj së shpejti të jetë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës. /AsistiOnline.com/


