Basketbollisti Jan Palokaj ka konfirmuar publikisht vendimin e tij për të përfaqësuar Përfaqësuesen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke sqaruar procesin dhe hapat që ka ndërmarrë pas pajisjes me pasaportë të Kosovës.
Në një deklarim për Radio Dukagjini, në emisionin e drejtuar nga Naim Selmani, Palokaj bëri të ditur se më herët ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Kroacisë, duke luajtur për seleksionet U16, U17 dhe U19, si dhe disa ndeshje miqësore me përfaqësuesen e dytë të Kroacisë.
“Kam luajtur te grupmoshat e reja të Kroacisë U16, U17 dhe U19 dhe kam luajtur disa ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kroacisë me seleksionin e dytë, por kur e mora pasaportën e Kosovës, ju kam thënë që tani kam vetëm një opsion, të luaj për Kombëtaren e Kosovës. E kam kontaktuar menjëherë Kroacinë dhe i kam treguar që qëllimet e mia janë që ta përfaqësoj Kosovën, më kanë dëshiruar fat,” u shpreh Palokaj.
Ai shtoi se aktualisht ndodhet në fazën përfundimtare të procedurave administrative, duke pritur konfirmimin nga FIBA për të qenë i gatshëm të veshë fanellën e Kosovës në garat zyrtare.
“Dhe tani jam në fazën që të marr sinjalet nga FIBA, që të luaj për Kosovën,” përfundoi Palokaj.
Ky zhvillim përbën një lajm pozitiv për basketbollin kosovar, në pritje të vendimit final nga organet përkatëse ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/


