Under Header

spot_img

Lojtari i natyralizuar, avantazh konkurrues apo cenim për basketbollistin vendor?

spot_img

Në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në basketboll, ekipet po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë një hapësirë të lejuar nga rregulloret: përdorimin e lojtarit vendor të natyralizuar, duke krijuar në praktikë modelin 4+1 në parket.

Sipas rregullores, skuadrat kanë të drejtë të aktivizojnë tre lojtarë të huaj në të njëjtën kohë, ndërsa dy pozitat e tjera në pesëshe duhet të mbulohen nga lojtarë vendorë. Megjithatë, me përfshirjen e një lojtari të natyralizuar – i cili ligjërisht llogaritet si vendor, por në aspektin basketbollistik nuk është produkt i shkollës kosovare – ekipet po arrijnë të kenë në fushë katër lojtarë të huaj de facto, krahas vetëm një lojtari “puro” vendor.

Kjo situatë po shihet si avantazh konkurrues për klubet që e kanë në dispozicion një lojtar të tillë. Lojtarët e natyralizuar shpesh janë mbajtës të lojës, figura kyçe në sulm dhe mbështetje e madhe në momente vendimtare, çka ua rrit ndjeshëm potencialin sportiv skuadrave të tyre.

Në anën tjetër, kjo praktikë po ngre pikëpyetje serioze për zhvillimin e basketbollistëve vendorë. Me hapësira gjithnjë e më të kufizuara në pesëshe dhe role dytësore në rotacion, shumë lojtarë kosovarë po e kanë të vështirë të marrin minuta, përgjegjësi dhe vazhdimësi, elemente këto thelbësore për rritjen e tyre profesionale.

Ekspertë dhe dashamirë të basketbollit vlerësojnë se, ndonëse kjo taktikë është plotësisht e lejuar nga rregulloret aktuale, ajo po krijon një pabarazi të heshtur, ku interesi afatshkurtër për rezultate po mbizotëron ndaj investimit në talentin vendor.

Në thelb, klubet po veprojnë brenda kornizave ligjore dhe po shfrytëzojnë maksimalisht rregullat ekzistuese, por debati mbetet i hapur: A duhet Superliga të vazhdojë me këtë model, apo është koha për rishikim të rregulloreve në mënyrë që të mbrohet dhe promovohet më shumë basketbollisti vendor?

Kjo dilemë pritet të jetë një nga temat më të diskutuara në basketbollin kosovar, teksa kampionati po hyn në fazën vendimtare të sezonit. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme