Basketbollisti amerikan Darnell Edge ka gjetur ekipin e radhës në karrierë, duke u transferuar në elitën e basketbollit polak te Dziki Warszawa.
Edge është i njohur për opinionin sportiv në Kosovë si ish-lojtar i Trepçës, me të cilën fitoi titullin e kampionit, duke qenë një nga figurat e rëndësishme të mitrovicasve në atë sezon.
Megjithatë, edicioni aktual nuk ka qenë i qëndrueshëm për organizatorin amerikan. Ai e nisi sezonin në Qipro te Keravnos, më pas u transferua për një periudhë të shkurtër në Gjermani te Ludwigsburg, ndërsa tani ka vendosur të vazhdojë karrierën në Poloni.
Skuadra e re e Edge, Dziki Warszawa, përveç garave vendore, është pjesë edhe e ENBL League, ku aktualisht ka bilanc 5 fitore dhe 2 humbje. Dziki ishte pjesë e të njëjtit grup me Pejën, por skuadra kosovare është përjashtuar nga gara dhe nuk arriti të zhvillojë ndeshje ndaj ekipit polak. /AsistiOnline.com/


