Skuadra e Pesaros ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në Serie A2 të Italisë, duke mposhtur sonte Brindisin me rezultat 90-82, në një derbi të fortë që u kontrollua nga fillimi deri në fund nga vendasit.
Ekipi i drejtuar nga trajneri shqiptar Spiro Leka arriti këtë sukses pavarësisht mungesës së lojtarit kryesor, i cili është i dëmtuar, duke treguar edhe një herë stabilitet dhe organizim në lojë.
Fitorja merr edhe më shumë peshë kur merret parasysh fakti se Brindisi është një skuadër me buxhet dukshëm më të lartë, duke shpenzuar mbi 1 milion euro vetëm për pagat e lojtarëve, luks që Pesaro nuk e ka, por që po e kompenson me rezultate konkrete në parket.
Më i dalluari te Pesaro ishte Lorenzo Bucarelli me 29 pikë, i ndihmuar nga Matteo Tambone me 23 pikë dhe Nicolo Virginio me 12 pikë, duke bërë që tre lojtarët kryesorë të skuadrës të jenë vendas. Në anën tjetër, te Brindisi më efikasi ishte Blake Francis me 22 pikë.
Me këtë fitore, Pesaro kryeson bindshëm renditjen me 18 fitore dhe 7 humbje, duke krijuar diferencë prej dy fitoreve ndaj ndjekësit më të afërt.
Brindisi mbetet në vendin e dytë me 16 fitore dhe 9 humbje, në një kampionat tejet konkurrues me plot 20 ekipe.
Pesaro po vazhdon kështu një ecuri pozitive që e mban ekipin në rrugë të mirë drejt objektivit madhor – rikthimit në Serie A. /AsistiOnline.com/


