Under Header

spot_img

WCB Shkupi me reagim zyrtar: Po na mohohet e drejta themelore për sport

spot_img

Klubi shqiptar i basketbollit për femra në Maqedoni të Veriut – WBC Shkup, i vetmi ekip shqiptar i këtij lloji për femra, ka reaguar publikisht duke denoncuar trajtimin diskriminues dhe mungesën e plotë të përkrahjes nga institucionet përgjegjëse.

Përmes një reagimi zyrtar, klubi bën të ditur se i janë mbyllur të gjitha palestrat sportive, duke mbetur aktualisht pa asnjë hapësirë për stërvitje dhe pa kushte për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit. Si pasojë, basketbollistet janë të detyruara të ndërpresin aktivitetin sportiv, jo për mungesë vullneti, por për shkak të mungesës totale të mbështetjes institucionale.

WBC Shkup vlerëson se është e papranueshme që në vitin 2026 sporti i femrave të trajtohet me neglizhencë dhe indiferencë, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Komuna e Çairit, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe nga Qeveria e RMV-së, përfshirë përfaqësueset shqiptare në pushtet.

“Heshtja në këtë rast është bashkëfajësi”, thuhet në reagim, duke shtuar se përfaqësuesit shqiptarë në institucione duhet të jenë zëri i vajzave që po përjashtohen nga sporti dhe nga e drejta për barazi.

Klubi thekson se kjo situatë nuk përbën vetëm padrejtësi ndaj një ekipi sportiv, por është diskriminim i hapur ndaj sportit të femrave dhe barazisë gjinore në vend.

Në fund, WBC Shkup ka parashtruar kërkesa të qarta dhe urgjente:

  • sigurimin e hapësirave funksionale për stërvitje,
  • mundësi reale për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit,
  • reagim publik dhe mbështetje konkrete nga Komuna, Kuvendi dhe Qeveria,
  • trajtim të barabartë dhe dinjitoz për sportistet.

“WBC Shkup nuk do të heshtë përballë padrejtësisë. Sporti i femrave meriton respekt, jo mbyllje dyersh”, përfundon reagimi i klubit. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme