Ndryshimet e pafundme në ekipet e Superligës së Kosovës në basketboll po vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave. Sot, Peja dhe Rahoveci kanë njoftuar për largime të reja nga skuadrat e tyre.
Peja ka konfirmuar ndarjen e rrugëve me dy basketbollistët e huaj, Jordan Johnson dhe Skyler Flatten, të cilët nuk do të jenë më pjesë e ekipit verdhezi.
Ndërkohë, edhe Rahoveci ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me basketbollistin Isiah Umipig, duke vazhduar kështu riorganizimin e skuadrës për fazën e mbetur të sezonit.
Këto lëvizje janë një tjetër dëshmi se Superliga e Kosovës mbetet ndër ligat e rralla në Evropë ku ekipet rrallëherë arrijnë stabilitet me përbërjen e lojtarëve për një sezon të plotë. Ndryshimet e shpeshta, sidomos te lojtarët e huaj, janë kthyer në një fenomen të zakonshëm që po përsëritet pothuajse çdo javë.
Mbetet të shihet nëse këto lëvizje do të sjellin qetësi në skuadrat respektive apo nëse merkatoja do të vazhdojë të jetë aktive deri në fund të sezonit. /AsistiOnline.com/


