Basketbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë prezentë dhe aktivë në skenën ndërkombëtare, duke regjistruar paraqitje të rëndësishme në disa kampionate gjatë vikendit të fundit, shkruan AsistiOnline.com
Në Francë, paraqitje fantastike pati Edon Maxhuni, i cili ishte i shkëlqyer në fitoren jetike të Gravelines-Dunkerque në udhëtim te Nancy me rezultat 88–93, duke realizuar 19 pikë për 20 minuta lojë, si dhe duke shtuar 4 asistime dhe 1 kërcim.
Në Superligën e Turqisë, Erxhan Osmani me Anadolu Efesin pësoi humbje befasuese ndaj Merkezefendit, në një ndeshje ku reprezentuesi shqiptar u paraqit për 23 minuta, duke realizuar 9 pikë, 3 kërcime dhe 2 asistime.
Po në elitën turke, minuta të konsiderueshme pati edhe Kenan Spahiu, i cili me Bahçesehirin luajti 28 minuta në sfidën ndaj Mersinit, duke kontribuar me 8 pikë, 4 asistime dhe 3 kërcime, ndonëse skuadra e tij u mposht pas vazhdimeve me rezultat 87–80.
Në Kroaci, Jan Palokaj me Cibonën sonte zhvillon ndeshjen ndaj Alkarit në elitën kroate, teksa basketbollisti me prejardhje nga Peja po kalon një sezon pozitiv dhe aktualisht është ndër lojtarët më të dalluar të Cibonës, me mesatare prej 12 pikësh në 9 ndeshje.
Ndërkohë, në Superligën e Sllovenisë, Erolt Rrahmani u paraqit me Zlatorog Laškon në humbjen ndaj Šenčurit, duke regjistruar 4 pikë, 3 kërcime dhe 2 vjedhje topash.
Jashtë Evropës, në SHBA, Arlind Konjuhi po vazhdon formën e shkëlqyer me kolegjin Allan Hancock, ku në fitoren ndaj Oxnard Condors College me rezultat 78–71, lojtari me prejardhje nga Vushtrria, por lindur dhe rritur në SHBA, realizoi plot 27 pikë, 9 kërcime dhe 1 asist, duke qenë figura kryesore e takimit. /AsistiOnline.com/


