Me një ceremoni madhështore është bërë hapja zyrtare e Lojërave të 24-ta Olimpike Dimërore ”Milano Cortina 2026”, të cilat do të zhvillohen nga sot e deri më 22 shkurt, në gjithsej 16 sporte të ndryshme dimërore.
Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, ceremonia hapëse u organizua në katër lokacione njëkohësisht. Ngjarja kryesore u mbajt në stadiumin “San Siro” në Itali, ndërsa aktivitete ceremoniale u zhvilluan edhe në Cortina D’Ampezzo, Livigno dhe Predazzo.
Në mesin e 92 shteteve pjesëmarrëse, parakaloi edhe ekipi olimpik i Kosovës. Flamurin shtetëror e bartën dy skitarët e skijimit alpin, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj.
Kiana Kryeziu parakaloi në Cortina D’Ampezzo, së bashku me shefin e misionit Jeton Rudari dhe trajnerin Visar Kryeziu. Ndërkohë, pjesa tjetër e delegacionit të Kosovës parakaloi me flamurmbajtësin Drin Kokaj, i shoqëruar nga përzgjedhësi Agim Pupovci dhe trajneri Ismajl Kokaj.
Në ceremoninë qendrore në “San Siro” ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës: presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Besim Aliti dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi, i cili është njëherit edhe kryetar i Federatës së Skijimit të Kosovës, si dhe ushtruesi i detyrës së Agjencisë për Sport në MKRS, Fida Shatri.
Të pranishmëve iu drejtua edhe presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry, e cila për herë të parë mori pjesë në Lojërat Olimpike nga kjo pozitë. “Mirë se vini në Lojërat Olimpike Dimërore. Ky është momenti juaj”, u shpreh ajo në fjalimin e saj.
Kosova do të përfaqësohet në katër disiplina të skijimit alpin, ndërsa gara e parë për ekipin tonë do të jetë ajo e Kianës Kryeziu, e cila zhvillohet më 12 shkurt në disiplinën e super sllallomit të madh.





