Xhiroja e 19-të në Superligën e Kosovës në basketboll solli ndeshje tepër interesante, me derbi të fortë, rezultate befasuese dhe përmbysje që mbajtën gjallë garën në tabelë.
Në Prizren, Bashkimi arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 63-68, duke konfirmuar formën e mirë në këtë fazë të sezonit.
Derbi i vjetër mes Go+ Pejës dhe Sigal Prishtinës prodhoi spektakël dhe emocione, me verdhezinjtë që triumfuan 78-82 pas një përmbysje të madhe, duke u kthyer nga disavantazhi prej 19 pikësh.
Përmbysje dramatike u regjistrua në Rahovec, ku Rahoveci 029, po ashtu nga -18 pikë, fitoi në shtëpi ndaj Vëllaznimit. Ndërkohë, Trepça nuk pati vështirësi ndaj Borës, duke fituar bindshëm 71-88.
Pas kësaj xhiroje, tabelës i prin bindshëm Trepça me 16 fitore dhe 3 humbje, e ndjekur nga Bashkimi me 13 fitore e 6 humbje. Peja renditet e treta me 10 fitore dhe 9 humbje, ndërsa Bora është e katërta me 9 fitore e 10 humbje.
Në pozitat pesë dhe gjashtë gjenden Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina me nga 8 fitore e 11 humbje. Dy vendet e fundit aktualisht mbahen nga Vëllaznimi dhe Rahoveci, të dyja me nga 6 fitore dhe 13 humbje.
Ndeshjet e xhiros së ardhshme:
- Bashkimi – Peja
- Vëllaznimi – Sigal Prishtina
- Trepça – Rahoveci 029
- Golden Eagle Ylli – Bora
/AsistiOnline.com/



