Kosova do të përfaqësohet me dy sportistë në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, ndërsa tashmë është publikuar edhe orari i garave për skiatorët tanë, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj.
Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina të skijimit alpin. Ajo do ta nisë paraqitjen më 12 shkurt në disiplinën Super G, me fillim nga ora 11:30. Më pas, më 15 shkurt, Kryeziu do të jetë në garë në disiplinën GS, që nis nga ora 10:00, ndërsa paraqitjen e saj olimpike do ta mbyllë më 18 shkurt në disiplinën Sllallom, po ashtu nga ora 10:00.
Ndërkohë, Drin Kokaj do të përfaqësojë Kosovën më 16 shkurt, ku do të garojë në disiplinën Sllallom të skijimit alpin, me fillim nga ora 10:00.
Pjesëmarrja e dy skiatarëve kosovarë në “Milano Cortina 2026” shënon një tjetër moment të rëndësishëm për sportin e Kosovës në arenën olimpike, duke konfirmuar vazhdimësinë e përfaqësimit të vendit në Lojërat Olimpike Dimërore. /AsistiOnline.com/




