Ka mbetur jo edhe shumë kohë, deri tek ndeshja e dytë e Kosovës A te meshkujt në kuadër të parakualifikimeve për EuroBasket 2029.
Më 27 shkurt 2026, me fillim nga ora 19:00, në palestrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të zhvillojë ndeshjen e dytë parakualifikuese për FIBA EuroBasket 2029, kësaj radhe kundër Sllovakisë.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, teksa Dardanët rikthehen para tifozëve vendas me synimin për të vazhduar serinë pozitive në grup. Kosova e ka nisur me fitore këtë cikël parakualifikues, duke mposhtur Shqipërinë në ndeshjen e parë, një sukses që ka rritur vetëbesimin dhe entuziazmin brenda skuadrës.
Njësoj si Kosova, edhe Sllovakia e ka nisur me këmbë të mbarë fushatën, pasi gjithashtu ka triumfuar ndaj Shqipërisë. Kjo e bën përballjen në Prizren një duel direkt për kreun e grupit dhe një hap shumë të rëndësishëm drejt fazës së ardhshme.
Federata e Basketbollit e Kosovës që nga tash po u bën thirrje të gjithë tifozëve që të jenë të pranishëm në “Sezai Surroi” për të përkrahur ekipin kombëtar në këtë sfidë të rëndësishme.
Kosova – Sllovakia
27 shkurt 2026
Ora 19:00
Palestra sportive “Sezai Surroi”, Prizren
Një ndeshje që premton spektakël, rivalitet dhe emocione të mëdha në rrugëtimin drejt EuroBasket 2029. /AsistiOnline.com/



