Në mbledhjen e fundit të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), është marrë vendim për emërimin e shtabit teknik të Përfaqësueses A të Femrave.
Në njoftimin e FBK-së, thuhet se bordi ka emëruar Lorik Kllokoqi në pozitën e përzgjedhësit të Përfaqësueses A të Femrave, ndërsa Laberion Ibrahimi është emëruar ndihmëstrajner.
Sipas njoftimit të FBK-së, ky vendim vjen në funksion të kompletimit të stafit teknik të Përfaqësueses A të Femrave dhe në përputhje me objektivat strategjike të FBK-së për fuqizimin e basketbollit të femrave, si dhe promovimin e përfaqësimit gjinor në strukturat teknike.
Në njoftim poashtu përmendet se bordi i FBK-së ka njoftuar se në ditët në vijim do të shqyrtojë dhe emërojë edhe një deri në dy trajnere femra, me qëllim të avancimit të mëtejmë të përfshirjes dhe barazisë gjinore në kuadër të përfaqësueseve kombëtare. /AsistiOnline.com/



